Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, po qëndron për vizitë zyrtare në Austri, me qëllim të konkretizimit të projektit për trajtimin e ujërave të zeza në Komunën e Podujevës.
Kësaj vizite i ka paraprirë koordinimi dhe bashkëpunimi me kompaninë austriake ÖSTAP, e cila ka hartuar projektin për ndërtimin e kolektorit kryesor për grumbullimin e ujërave të zeza në Komunën e Podujevës, thuhet në kumtesën komunale, njofton Llapi.info.
Për realizimin e këtij projekti për qytetarët e Podujevës, Komuna ka planifikuar zgjidhje financiare, duke aplikuar për një kredi të butë (Soft-loan), që jepet nga banka austriake.
Gjatë qëndrimit në Austri, Veliu, i shoqëruar edhe nga drejtori i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (DBPZHR), Avni Fetahu, ka zhvilluar takime edhe me zyrtarë të Ministrisë së Financave të Austrisë, drejtues të kompanisë OSTAP, përfaqësues të bizneseve të ndryshme dhe me ambasadorin e Kosovës në Austri, Sami Ukelli.
Për vizitë në Austri po qëndron edhe kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, ngase edhe Komuna e Gjilanit do të realizojë një projekt të ngjashëm me Komunën e Podujevës në fushën e trajtimit të ujërave të zeza./Llapi.info