Me qëllim të rritjes së bashkëpunimit të Podujevës me Ëestersteden, kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, po qëndron për një vizitë zyrtare në bashkinë Westerstede të Gjermanisë, ku sot ka zhvilluar një takim me kryetarin e Westerstedes, Klaus Gross, transmeton Llapi.info.

Sipas kumtesës komunale, gjatë këtij takimi Veliu ka informuar Gross-in për të arriturat e Komunës së Podujevës gjatë dy viteve të fundit. Në këtë aspekt Veliu ka potencuar investimet kapitale në projektet të rëndësishme, siç janë: ndërtimi i objektit të maternitetit, fillimi i punimeve për ndërtimin e objektit të zjarrfikësve, projekti për ndërtimin e palestrës së qytetit dhe fushave sportive në fshatra dhe projekti kryesor, ai i zgjerimit të rrugës magjistrale Podujevë – Prishtinë.

Në prezantimin e investimeve të bëra në zhvillimin ekonomik të komunës, kryetari Veliu potencoi investimet dhe subvencionimet në bujqësi, veçmas suksesin që po e arrijnë kultivuesit e mjedrës. Kryetari Veliu tha se kultivimi i mjedrës është bërë një nga sektorët kryesorë të zhvillimit ekonomik dhe punësimit në trevën e Llapit.

Veliu i bëri thirrje Gross-it që në takimet me biznese të kësaj bashkie t’i inkurajojë ata për të investuar në Podujevë, sidomos në ngritjen e qendrave të grumbullimit të mjedrës, ngase kjo po paraqet problem për kultivuesit llapjanë.

Gross i premtoi Veliut vazhdimin e mbështetjes për Komunën e Podujevës, si dhe u shpreh i lumtur për zhvillimet pozitive që kanë ndodhur që nga vizita e tij në Podujevë, para dy viteve.

Ai, gjithashtu i premtoi Veliut se në takimin e tij që do ta ketë në muajin tjetër me përfaqësues të qeverisë Gjermane do t’u bëj thirrje për investime në Komunën e Podujevës, duke pasur si pikë referuese investimet në zhvillim ekonomik dhe bujqësi.

Kryetari Gross, gjithashtu i ka shprehur ngushëllime kryetarit Veliu për qytetaren nga Podujeva Armela Segashi, e cila ditë më parë humbi jetën pas një sulmi kriminal në Munih të Gjermanisë.

Bashkë me Veliu, në Westerstede po qëndron edhe drejtori Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë, Afrim Shabani./Llapi.info