Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, sot ka nënshkruar në Bruksel Konventën e Kryetarëve të Komunave për efiçiencë të energjisë, njofton Zyra për Informim në Podujevë, përcjell Llapi.info
Nënshkrimi i kësaj Konvente është bërë pasi Podujeva është përzgjedhur në mesin e komunave konkurruese, meqë Komuna e Podujevës është duke hartuar Planin Qendror për Efiçiencë të Energjisë (SEAP).
Në planin e hartuar, Komuna e Podujevës ka përfshirë të gjitha të dhënat që kërkohen për objektet publike, ndriçim publik dhe transport.
Kryetari Veliu u shpreh i lumtur për nënshkrimin e kësaj konvente.
“Me përzgjedhjen e saj në Konventën e Kryetarëve të Komunave, Podujeva obligohet që deri në vitin 2020 të plotësojë kriterin për zvogëlim të CO2-shit në 20 për qind”, ka thënë Veliu, i bindur se Podujeva do të plotësojë edhe kriteret e tjera që kanë të bëjnë me efiçiencë të energjisë.
Me plotësimin e kritereve Podujeva do të përfitojë donacione për energji dhe transport, kurse ky projekt financohet nga GIZ-i gjerman.
Krahas Podujevës për nënshkrimin e Konventës së Kryetarëve të Komunave ishin përzgjedhur edhe Komuna e Gjilanit dhe Prishtinës./Llapi.info