Me qëllim të bashkëpunimit në parandalimin e rreziqeve dhe ofrimin e shërbimeve në rastet e kërkimit, zbulimit dhe shpëtimit në ujërat e territorit të Komunës së Podujevës, kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, gjatë një takimi me kryetarin e Qendrës së Zhytjes “Llapi” (QZHLL), Besart Ejupi, ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi në mes të Komunës së Podujevës dhe kësaj shoqate.
Sipas memorandumit, Komuna e Podujevës, në bazë të mundësive buxhetore, do ta mbështes QZHLL në sigurimin e pajisjeve për aktivitete dhe veprim.
Nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje kryetari Veliu e ka vlerësuar të rëndësishme, duke pasur parasysh punën dhe angazhimin specifik që kryejnë aktivistët e kësaj shoqate.
Veliu i ka ftuar udhëheqësit e shoqatës QZHLL për bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë edhe me institucionet relevante komunale, përfshirë këtu Drejtorinë për Shërbime Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim, Drejtorinë e Inspeksionit, Brigadën e Zjarrfikësve, e sidomos me qytetarët llapjanë.
Ndërsa, kryetari i shoqatës QZHLL, Besart Ejupi, tha se me të gjithë potencialin dhe kapacitetet që kanë do të angazhohen në të gjitha rastet kur nevojitet ndihma e tyre./Llapi.info