Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka thënë se ndihet i kënaqur se në mesin e të rinjve të cilët u janë bashkëngjitur luftërave të huaja, asnjë prej tyre nuk është nga Podujeva, njofton Llapi.info.

Këto komente i pari i Podujevës i ka bërë sot në një ligjëratë me nxënësit e Shkollës së Mesme Ekonomike “Isa Boletini” në Podujevë në kuadër të Strategjisë së Qeverisë së Kosovës për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit.

Ai përmes një postimi në Facebook ka thënë se kjo tregon se qytetarët tanë që i takojnë besimit islam vazhdojnë ta praktikojnë islamin tradicional.

Ja edhe postimi i plotë i Veliut:

Parandalimi i ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit, ishte tema e ligjëratës dhe debatit me nxënës të shkollës “Isa Boletini”, ku me kënaqësi konstatuam se në mesin e të rinjve që kanë shkuar në luftëra të huaja asnjë prej tyre nuk është nga komuna jonë
Kjo na bën të lumtur, sepse tregon se qytetarët tanë, që i takojnë besimit islam vazhdojnë të praktikojnë islamin tradicional, duke mos lënë vend për futjen e elementëve radikalë. Për këtë meritat më të mëdha i keni ju të rinjtë, prindërit tuaj dhe predikuesit e fesë islame (hoxhallarët), duke mos lënë hapësirë që në objektet e kultit fetar, në xhami, por as në familjet tona të depërtojnë ata, që në emër të fesë promovojnë radikalizëm dhe ekstremizëm të dhunshëm.
Ligjërata e sotme u mbajt në kuadër të Strategjisë së Qeverisë së Kosovës për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që shpie në terrorizëm, në bazë të së cilës Komuna jonë në Këshillin Komunal për Siguri në Bashkësi ka hartuar dhe miratuar Planin e Veprimit.
Ky plan parasheh mbajtjen e ligjëratave nëpër shkollat e mesme nga përfaqësues të institucioneve të sigurisë nga niveli lokal dhe qendror, Këshilli i Bashkësisë Islame dhe përfaqësues të shoqërisë civile që merren me fushën e sigurisë. A.V./Llapi.info