Kryetari i komunës së Podujevës, Agim Veliu së bashku me Ibër Alajn – drejtor i Departamentit të Sportit në MKRS dhe drejtues të klubit Llapi kanë vizituar sot stadiumin e qytetit në Podujevë ‘Zahir Pajaziti’, njofton Llapi.info.
Në një status në Facebook Veliu ka shkruar se në këtë vizitë janë ndarë të kënaqur me dinamikën e zhvillimit të punimeve në realizimin e projektit të stadiumit.
“Sot, bashkë me Ibër Alajn – drejtor i Departamentit të Sportit në MKRS, vizituam Stadiumin e Qytetit “Zahir Pajaziti” në Podujevë, ku janë duke u realizuar punimet në ndërtimin e tribunave dhe infrastrukturës përcjellëse.
U ndamë të kënaqur me dinamikën e zhvillimit të punimeve në realizimin e këtij projekti.
Pas ndërtimit të fushës me bar sintetik, në stadium u krijuan kushtet për lojëra cilësore, kurse me finalizimin e ndërtimit të tribunave shikuesve u ofrohet komoditet, që në sezonin e ardhshëm futbollistik të përcjellin ndeshjet e FC “Llapi” në këtë stadium modern”, ka shkruar Veliu.