Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, bashkë me zëvendësministrin e Bujqësisë, Vezir Januzi dhe zëvendësministrin e Shëndetësisë, Izet Sadiku, qëndroi për një vizitë zyrtare në Gjenevë të Zvicrës ku zhvilloi disa takime në institucione të ndryshme.
Gjatë qëndrimit në Gjenevë të Zvicrës, Veliu dhe zëvendësministrat Januzi dhe Sadiku zhvilluam një takim me Guinchard Jean-Marc, president i Parlamentit të Republikës dhe Kantonit të Gjenevës dhe me parlamentarë, të cilët ishin pjesë e komisioneve parlamentare, thuhet në kumtesën komunale, transmeton Llapi.info.
Gjatë këtyre takimeve Veliu i njoftoi nikoqirët me profilin e Komunës së Podujevës, zhvillimin dhe potencialet që ka Podujeva për investime.
Delegacioni që kryesohej nga Veliu, ku ishte edhe kryetari i Shoqatës së Miqësisë Franko-Shqiptare, Tahir Shabani, zhvilloi një takim edhe me kryetarin Christian Dypessey dhe kryesinë e Këshillit të Rethit Anamasse, ku u bisedua për gjetjen e formave të bashkëpunimit.
Një takim tjetër Veliu kishte me përfaqësues të shoqatës ‘AgriGeneve’, e cila është shoqata ombrellë e bujqësisë në Gjenevë.
“Në këtë takim bashkëbiseduesit i njoftova për zhvillimin e sektorit të bujqësisë në vendin tonë dhe diskutuam për bashkëpunim në favor të zhvillimit të mëtejmë të këtij sektori”, tha Veliu.
Veliu u prit në takime edhe në Drejtorinë për çështje të Jashtme të Spitaleve Universitare të Gjenevës, ku zhvilloi një takim me zonjën Karine Martinez – zëvendësdrejtoreshë dhe përgjegjëse e Polit Ndërkombëtar.
“Në këtë takim, përveç tjerash, biseduam edhe për mundësitë e kontributit të këtij institucioni me aparaturë dhe teknikë për Spitalin e Përgjithshëm të Podujevës”, tha Veliu.
Veliu e vlerësoi të suksesshme vizitën dhe takimet me udhëheqës institucionesh të ndryshme të Gjenevës./Llapi.info