Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka pritur sot në takim komandantin e Detashmentit të Përbashkët Rajonal – Qendra të KFOR-it (JRD-C), kolonelin Nicola Perrone, me të cilin bisedoi për gjendjen e sigurisë në Podujevë, njofton Llapi.info
Në takimin e sotëm Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu me kolonelin Nicola Perrone u bisedua për situatën e përgjithshme në vend, në veçanti për atë të sigurisë, me theks të veçantë në Komunën e Podujevës dhe bashkëpunimin që ka Komuna me KFOR-in dhe të gjithë mekanzmat e sigurisë.
Gjatë takimit Kryetari Veliu gjithashtu e ka njoftuar kolonelin Perrone për projektet e Komunës, të cilat kanë filluar të realizohen gjatë këtij viti, e që janë në interes të përgjithshëm për qytetarët e komunës së Podujevës.
Komandanti i JRD-C, kolonel Nicola Perrone, e ka falënderuar kryetarin Veliu për pritjen dhe angazhimin e treguar në vazhdimësi për trajtim të barabartë të të gjithë qytetarëve të Komunës së Podujevës dhe ka vlerësuar lartë bashkëpunimin e mekanizmave institucionalë lokalë me KFOR-in.
Ai gjithashtu ka potencuar se KFOR-i në Kosovë vazhdon të ketë mision ruajtjen e paqes dhe sigurisë, gjithmonë duke bashkëpunuar ngushtë me institucionet e Republikës së Kosovës./Llapi.info