Një dokument i publikuar nga mediet e Kosovës, i cili pretendohej të ishte përgatitur nga Gjermania e Franca si një “nismë e përbashkët” për rifillimin e fazës finale të dialogut Kosovë-Serbi, ka ngjallur reagime të shumta. Shteti gjerman e ai francez, dy vendet që supozohej të ishin shkruesit e “non-paper”-it, e kanë mohuar autorësinë e dokumentit duke e cilësuar si “fake news”.

Dokumenti të cilin e ka siguruar Gazeta Online “Reporteri.net”, thekson se veriu i vendit duhet të jetë një Rajon Autonom dhe po ashtu në këtë letër theksohet edhe krijimi i Asociacionit të komunave më shumicë serbe.

Gazeta Online “Reporteri.net”, ka biseduar me deputetin e LDK-së, Agim Veliu, lidhur me këtë “non paper”, si dhe për tema të tjera, për shkuarjen e kryeministrit Albin Kurti në Bruksel, për ligjin për konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme dhe punën një mujore të qeverisë.

Veliu ‘non paper’-in e quan të pafavorshëm për Kosovën, ndërsa beson se Kurti ka qenë në dijeni se ekziston një dokument i tillë.

“Nuk besoj që Kurti nuk ka qenë në dijeni me këtë dokument, sepse vet vizita e tij në Bruksel dhe del një dokument i pafavorshëm për Kosovën, ndoshta mund të ketë ndonjë lidhje, si kam të vërtetuara”., thotë Veliu për Reporteri.net.

Ndërsa komenton vizitën e Kurtit në Bruksel, Veliu thotë se kryeministri harroi premtimet për të pagjeturit që kur ishte opozitar deklaronte se nuk shkon në dialog pa u zbardh fati i personave të pagjetur.

“Është indikative, shkon në Bruksel kur del një dokument, edhe shkon pikërisht në Ditën e të pagjeturve për të filluar bisedimet, e që premtonte se nuk do të shkonte pa u zbardh fati i të pagjeturve. E ka harruar premtimin dhe nuk e ka pasur parasysh as në Ditën e të pagjeturve pasi shkoj për bisedime në Bruksel”, thotë Veliu.

Ndërsa flet për ligjin e inicuar për konfiskimin e pasurisë së paligjshme, Veliu thotë se nuk dihet qëllimi i vërtetë i qeverisë.

“Ky ligji për konfiskimin e pasurisë është për mua një veprim, por duhet me u bërë me rregulla dhe procedura tjera në përputhje me aktin më të lartë me Kushtetutën, edhe me ligje të sakta, të drejta që nuk i prekin të drejtat e njeriut, sepse disa gjëra nuk mund të bëhen me procedura të shpejta e me ndërtim të mekanizmave jashtë institucional të cilët pastaj bien në kundërshtim me aktin juridik. Nuk e di qëllimin e vërtetë të këtij veprimi, por më duket si diçka e pamenduar e papërgatitur mirë në procedura të shpejta, sikur veprimi për ligjin e zgjedhjeve, të veprohet në procedura të përshpejtuara pa pasur ndonjë nevojë urgjente”, ka thënë Veliu për Reporteri.net.

Ai thotë se mbështet një ligj të tillë.

“Ne përkrahim një veprim të tillë, kushdo që bie në kundërshtim me ligjin të merren veprimet e nevojshme, këto duhet të jenë edhe të punuara, menduara dhe bazuara mire, duke u respektuar edhe të drejtat e njeriut, ka thënë Veliu për Reporterin.

Ai kritikon edhe punën një mujore të Qeverisë Kurti, si dhe mënyrën si po e menaxhon pandeminë.

Deputeti i LDK-së thotë se Kurti nuk ka bërë asnjë punë të mirë gjatë muajit të parë të qeverisjes, dhe për më tepër nuk ka as program.

“Gjatë kësaj periudhe nuk kam pa ende punë, pikë së pari ajo nuk ka as program, kanë kaluar më shumë se një muaj dhe një qeveri që ka ardhë me premtime ende nuk ka program. Disa veprime që i ka bërë janë vetëm mashtrime ndaj atyre që e ka marrë votën, nuk ka menaxhim të mirë të pandemisë”, ka thënë Veliu.