Ministri i Punëve të Brendshme dhe i Administratës Publike, Agim Veliu, ka pritur në takim një delegacion nga Gjermania prirë nga Guido Zielke, i cili po qëndron në Prishtinë për takime rreth njohjes reciproke të patentë-shoferëve.
Me këtë rast, Veliu ka theksuar se Qeveria e Republikës së Kosovës, bashkë me Agjencinë për Regjistrimit Civil, do të mbështesin përmbylljen e këtij procesi të rëndësishëm për qytetarët e Kosovës që jetojnë në Gjermani.
Sipas njoftimit dërguar mediave, Veliu vlerësoi se takimet e tilla do të mundësojnë që për së afërmi të shkëmbehen përvoja dhe praktika reciproke në fushën e lëshimit, menaxhimit dhe legjislacionit.
“Republika e Kosovës, në vitin 2019 ka aplikuar për njohjen e patentë-shoferëve të shtetasve tanë. Vizita e delegacionit gjerman paraqet një hap të rëndësishëm për këtë proces, i cili si rezultat do të ketë vendimin përfundimtar të Gjermanisë dhe 16 Republikave të këtij shteti, për njohjen reciproke të patentë-shoferëve”, thuhet në njoftim.
Veliu është shprehur optimist, që së shpejti të kemi marrëveshje për patentë shoferë respektivisht njohjen e tyre nga Republika e Gjermanisë me të cilën do të jetë një qështje shumë pozitive jo vetëm për komunikacionin rrugor në rajon por edhe në Bashkimin Evropian./Llapi.info