Përfaqësues të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe qytetarë të shumtë kanë bërë homazhe pranë varrit të presidentit Ibrahim Rugova në 11 vjetorin e vdekjes së tij. Figura e Rugovës u cilësua si dijetar dhe profet i gjithë shqiptarëve.
Nënkryetar i LDK-së njëherësh kryetari i Podujevës, Agim Veliu tha se sot po kujtojnë dijetarin dhe burrështetasin Ibrahim Rugova.
“Edhe sot sikurse para 11 vjetësh është e madhe dhe e pa kompensushme dhimbja, por ne po punojmë mbi bazën e projekteve të tij, të trashëgimisë së tij, kjo është një humbje e madhe për të gjithë ne, për familjen, për miqtë, për LDK, për njerëzit, për shtet ndërtimin dhe Kosovën në përgjithësi”, tha ai.
“21 janari 2006 ishte ditë e rëndë për familjen, LDK-në, demokracinë dhe vendin”, ka thënë më tej Veliu, që ka veçuar kontributin e madh të Rugovës për lirinë dhe pavarësinë e vendit.
Në Akademinë përkujtimore që është mbajtur, Muhamet Hamiti ka thënë se “presidenti Rugova nuk ka lënë autobiografi të shkruar, por ka lënë vepra të mëdha si ati themeltar i këtij shteti”.
Kurse, qytetarët që bën homazhe vlerësuan lart figurën dhe veprimtarinë e Ibrahim Rugovës. Fehmi Sugujeva tha se ai është profeti i gjithë shqiptarëve.
“Presidenti Rugova është ndër figurat më të mëdha markante të popullit shqiptar, mund lirisht ta quaj edhe profeti i të gjithë shqiptarëve, njeri i cili na bashkoi të gjithëve, si në paqe edhe në luftë, presidentin Rugova s’mundem me përshkru me fjalë, është njeri shumë i madh për ne shqiptarët, kush do ta kuptoj, kush nuk do ta kuptoj më së paku është shqiptar. Njerëzit e LDK-së të cilët e përfaqësojnë frymën rugoviane janë jashtë rrethit, kurse, ata të cilat janë në pushtet ose të cilët janë në kryesi, shumë më pak janë duke e prezantuar frymën rugoviane. Rugova është më i madh se Muhamedi edhe Jezu Krishti”, tha Sugujeva.
Ndërsa, Mehmet Krasniqi, kryetar i degës së LDK-së në Obiliq tha se Rugova ka orientuar Kosovën në aspektin politik drejt perëndimit që ka qenë shpëtimi jonë i vetëm.
“Padyshim është një nga figurat më madhështore që ka dhënë kombi shqiptar në përgjithësi sepse ka qenë njeri që ka vu bazat e veprimit fillimisht institucional, e ka orientu Kosovën në aspektin politik drejt perëndimit që ka qenë shpëtimi jonë i vetëm, e ka mobilizu popullin shqiptar në një platformë të fuqishme anti-serbe dhe ky mobilizim mandej ka rezultu me aktivitete dhe me zhvillime të mëvonshme edhe rezistencën e viteve 90-ta në gjithë aspektet që është bërë por mandej edhe luftën e armatosur që ka sjellë përfundimisht çlirimin e vendit. Bota ecën, zhvillimet ecin përpara dhe rrethanat janë të tjera, megjithatë, unë konsideroj që fryma rugoviane mbrohet fuqishëm dhe pasohet fuqishëm nga LDK-ja, por gjithsesi në rrethana krejtësisht të reja”, tha Krasniqi, përcjell ksp.
Fatmir Elshani tha se e vlerësoi Rugovën si të pazëvendësueshëm.
“Figurën e presidentit Rugova e vlerësoj si një figurë e pazëvendësueshme, nuk e di a do të ketë tjetër. Kryesisht e përfaqëson por nuk jam shumë i kënaqur. Me disa veprime që po i bëjnë, me disa mos marrëveshje mes veti nuk po më pëlqejnë. Po flas për brenda LDK-së”, tha Elshani.