Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, bashkë me zëvendëskomandantin e FSK-së, gjeneral brigade Enver Cikaqi, kanë përcjell ushtrimin fushor “Skifteri 03”, i cili po realizohet nga Batalioni i Tretë i Forcës së Sigurisë së Kosovës në ndërveprim me Komunën e Podujevës, transmeton Llapi.info
Në ditën e dytë të ushtrimit fushor “Skifteri 03”, kryetari i Komunës së Podujevës ka qëndruar në kampin e ngritur nga Forca e Sigurisë së Kosovës, në lokacionin te Liqeni i Batllavës, për të marrë pjesë në brifingun e organizuar në kuadër të këtij ushtrimi treditor, i cili është organizuar nga Batalioni i Tretë i FSK-së për Reagim të Shpejtë në bashkëpunim me Komunën e Podujevës.
Në brifingun, ku ishte prezent edhe zëvendëskomandanti i FSK-së, gjeneral brigade Enver Cikaqi, Kryetari Veliu prezantoi veprimet e ndërmarra nga Komiteti Komunal për Mbrojtje dhe Shpëtim, i themeluar nga Kryetari i Komunës, pas marrjes së informatës për rënien e tërmetit me epiqendër në Komunën e Podujevës.
Kryetari Veliu vlerësoi lart angazhimin e Ekipi emergjent të Komunës, pjesëtarëve të FSK-së dhe agjencioneve të tjera (Policisë së Kosovës, Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave (AME), Zjarrfikësit, Shërbimet Mjekësore Emergjente (SHME) dhe Kryqi i Kuq), në kryerjen e operacioneve në ditën e parë të ushtrimit.
Edhe zëvendëskomandanti i FSK-së, gjeneral brigade Enver Cikaqi, vlerësoi lart angazhimin e Komunës së Podujevës dhe ndërveprimin e agjencioneve të tjera komunale me Batalionin e Tretë të FSK-së për Reagim të Shpejtë, në arritjen e objektivave të ushtrimit të përbashkët.
Më pastaj Kryetari Veliu dhe zëvendëskomandanti i FSK-së Cikaqi, kanë përcjellë demonstrimin e operacioneve të planifikuara në ditën e dytë të këtij ushtrimi
Pas përfundimit të ushtrimeve të planifikuara, Kryetari Veliu, përgëzoi pjesëtarët e FSK-së, ekipin Emergjent të Komunës dhe agjencitë e angazhuara, për gatishmërinë dhe shkathtësitë e treguara në realizimin e detyrave në teren./Llapi.info