Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, përmes një statusi në Facebook ka bërë të ditur se sot pas incidentit në të cilin dy nxënës u plagosën në klasë nga një “plumb qorr” ka vizituar Shkollën Teknike “Fan S. Noli”, transmeton Llapi.info.

Lidhur me këtë rast, i pari i Podujevës ka thënë se ndihet i shqetësuar dhe shpreson që nga plagët e marra këta dy nxënës të mos kenë pasoja shëndetësore.

Ja postimi i plotë i Veliut:

Sot në mëngjes nga Drejtoria e Shkollës Teknike “Fan S. Noli” jam njoftuar se nga një plumb shkrepur nga armë zjarri jashtë objektit të shkollës, dy nxënës brenda në klasë kanë marrë plagë të lehta.
Me të marr lajmin kam vizituar shkollën, ku lidhur me rastin u njoftova nga udhëheqja e shkollës dhe Policia e Kosovës.
Institucionet e sigurisë janë në fazën e hetimeve dhe sigurisht se do të dalin me informatë zyrtare dhe të detajuar për rastin.
Ky rast është për shqetësim, por fatmirësisht nxënësit i kanë shpëtuar më të keqes dhe shpresojmë se plagët e marra nuk do të kenë pasoja për shëndetin e tyre.
Ndërsa, qytetarëve u bëj apel që të përmbahen nga të shtënat me armë, sepse rasti i sotëm dëshmon më së miri për rrezikun që mund ta sjellë përdorimi i tyre në mënyrë të pakontrolluar./Llapi.info