Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka pritur sot në një takim komandantin e Detashmentit të Përbashkët Rajonal – Qendra (JRD-C) të KFOR-it, kolonelin Francesco Randacio, me të cilin ka biseduar për gjendjen e sigurisë në vend, thuhet në kumtesën komunale, njofton Llapi.info.

Gjatë këtij takimi Veliu e informoi komandantin JRD-C, kolonelin Francesco Randacio për gjendjen e sigurisë dhe bashkëpunimin e Komunës me KFOR-in.
“Vlerësojmë lart rolin dhe angazhimin e KFOR-it në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në vend, pra edhe në komunën tonë. Ne në vazhdimësi kultivojmë raporte korrekte dhe bashkëpunim të mirë me KFOR-in, të cilin sigurisht se do ta vazhdojmë edhe në të ardhmen”, tha kryetari Veliu.

Në ruajtjen e gjendjes së sigurisë dhe një ambienti të qetë për të gjithë qytetarët e Komunës së Podujevës, Veliu potencoi edhe bashkëpunimin e mirë me Policinë e Kosovës si dhe rolin e Këshillit për Siguri në Bashkësi.

Ai e informoi komandantin e JRD-C edhe për investimet e bëra në infrastrukturë, zhvillimin ekonomik dhe projekte që janë duke u realizuar në Komunën e Podujevës.

“Krahas projekteve në ndërtimin e infrastrukturës, me qëllim të krijimit të kushteve për jetë të mirë të qytetarëve tanë, jemi duke investuar edhe në zhvillimin ekonomik, duke krijuar klimë të volitshme për biznese dhe duke përkrahur dhe subvencionuar sektorin e bujqësisë”, tha kryetari Veliu.

Komandanti i JRD-C të KFOR-it, koloneli Francesco Randacio, falënderoi Veliun për pritje dhe u shpreh i kënaqur me gjendjen e sigurisë.

Randacio vlerësoi lart bashkëpunimin e Komunës së Podujevës me KFOR-in në krijimin e një ambienti të sigurt për të gjithë. Ai gjithashtu u shpreh i kënaqur për investimet e bëra nga Komuna në përmirësimin e jetës së qytetarëve./Llapi.info