Me asnjë votë kundër, Agim Veliu është rizgjedhur kryetar i degës së LDK-së në Podujevë në kuvendin e tetë zgjedhor që ka mbajtur sot Dega e LDK-së në Podujevë. Por, kjo pasi ai ka anashkaluar qëllimisht anëtarët e disa fshatrave të Podujevës.

Anëtarët e të paktën 4 degëve të LDK-së për këtë komunë, kanë kundërshtuar këtë kuvend, duke e cilësuar atë si të manipuluar dhe si jodemokratik. Sipas tyre, Agim Veliu, i ka anashkaluar qëllimisht anëtarët e Dumnicës, Dumoshit, Llapashticës dhe Podujevës 1, pasi në këto degë nuk ka disponim që të përkrahet Isa Mustafa për kryetar të LDK-së, transmeton Koha.net, përcjell Llapi.info.

Ndërkohë, që i pyetur për këto kritika në adresë të tij, i rizgjedhuri Veliu, ka mohuar mundësinë e manipulimit të këtyre zgjedhjeve.

Për të përshëndetur përkrahjen e drejtuar ndaj tij, i pranishëm ishte edhe vetë kryeministri i Kosovës dhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.

Mustafa, i cili pret të rizgjidhet, në krye të LDK-së ka refuzuar të fliste për problemet dhe zërat që kundërshtojnë në partinë e tij, duke injoruar pyetjet e Kohavisionit.

E se a ishte i kurdisur, apo jo ky kuvend, tregojnë edhe skenat se si të propozuarit mësynin t’i zinin vendet ende pa u votuar, përcjell koha.net.

Madje, vetë nënkryetari Shpejtim Bulliqi, në një moment ka pohuar se ky kuvend pritej të ishte, veçse formal dhe solemn.

Procesi i zgjedhjeve të brendshme të LDK-së është përcjell që nga fillimi me kritika se po shkelet statuti dhe rregullorja e zgjedhjeve, duke u votuar me aklamacion, ashtu që Isa Mustafa të rizgjidhej në krye të kësaj partie, me gjithë mospajtimet brenda këtij subjekti./Llapi.info