Kryetari i komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka shpalosur ecurinë e realizimit të projekteve dhe aktiviteteve të parapara për vitin 2018, njofton Llapi.info

I pari i Podujevës, deklaroi në takim me qytetarët se deri më tani punët për ndërtimin e infrastrukturës kanë hyrë në fazën finale.

“Në kuadë të infrastrukturës kemi filluar me projekte të mëdha siç është hapja e rrugës së re pranë lumit Llap, në pjesën perëndimore të qytetit, e cila do të shërbejë si unazë e brendshme dhe do të lehtësojë qarkullimin e automjeteve në qytet dhe do të ndikojë drejtpërdrejt në zhvillimin e asaj pjese të qytetit.” ka thënë ai.

Tutje kryetari Veliu ka bërë të ditur edhe më herët së njëri segment i rrugës “Zahir Pajaziti” do të bëhet me tri korsi.

“Së shpejti do të fillojmë edhe me zgjerimin e një segmenti të rrugës ‘Zahir Pajaziti’ duke filluar nga udhëkryqi i rrugës ‘19 Qershori’ deri te udhëkryqi që lidh magjistralen Podujevë – Prishtinë, ku paralelisht do të bëhet edhe rregullimi i infrastrukturës përcjellëse” ka thënë ai.

Më tej Veliu deklaroi se ndërtimi i rrugëve është duke u përcjellë edhe me ndriçim publik në të gjitha lagjet e qytetit si dhe në disa fshatra./Llapi.info