Nënkryetari i LDK’së, Agim Veliu i është përgjigjur ultimatumit të Ramush Haradinajt, i cili tha sot se Kryeministri duhet të dorëhiqet sot ose do të vazhdojnë protestat.
“Le të vazhdojë me protesta. Suksese në protesta. Le të vazhdojë Ramushi me protesta. Puna e mbarë”, ka ironizuar Nënkryetari i LDK’së me ultimatumin e Liderit të AAK’së.
“Kosova ka nevojë me protestat e Ramushit”, ka vazhduar Verliu ironinë ndaj kërcënimeve të Haradinajt.
Kryetari i Podujevës ka thënë se ka kaluar koha e pasluftës kur njerëzit kanë hyrë nëpër shtëpi dhe kanë kryer veprime kriminale.
“Ka kalu koha e vitit 2000 kur kanë hyrë njerëzit nëpër shtëpi. S’duron më askush të cënohet prona private, stabiliteti”, ka deklaruar Veliu për Gazetën Express.
Sidoqoftë, Veliu ka thënë se opozita është duke e ndjekur një agjendë pa krye derisa Shteti i Kosovës po bën përpjekje për të ecur në rrugën drejt BE’së.
“Në momentin kur Kosovës i janë hapur rrugët për pranim në UNESCO, për MSA’në , për liberalizimin e vizave. Ne jemi duke u marrë me punë tjera, ndërkohë, këta s’di me agjendë të kujt po merren, por nuk besoj se është e shëndetshme për Kosovën këto veprime”, ka shtuar ai. /Gazeta Express