Kryetari i komunës së Podujevës Agim Veliu, është takuar sot me komandantin e (JRD-C) të KFOR-it Daniele Bajata, me të cilin është biseduar për gjendjen e sigurisë në Podujevë, raporton Llapi.info
Në takim, sipas njoftimit për media nga Komuna e Podujevës, bëhet me dije se është vlerësuar se siguria në Podujevë dhe në vend është e qetë dhe stabile.
Kryetari Veliu vlerësoi kontributin dhe angazhimin e KFOR-it në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në vend, por edhe në komunën e Podujevës.
“Ne në vazhdimësi kultivojmë raporte korrekte dhe bashkëpunim të shkëlqyeshëm me KFOR-in. Do të vazhdojmë të thellojmë këtë bashkëpunim, që është në interes të sigurisë së qytetarëve tanë”, tha kryetari Veliu.
Ndërsa, Komandanti i JRD-C të KFOR-it, koloneli Daniele Bajata, duke vlerësuar lart bashkëpunimin me kryetarin Veliu në ruajtjen e një ambienti të sigurt për të gjithë, u zotua për thellimin e bashkëpunimit jo vetëm në sferën e sigurisë, por edhe në segmente të tjera.
Po ashtu në këtë takim koloneli Bajata e uroi Veliun për zgjedhjen e tij edhe një mandat në postin e Kryetarit të Podujevës./Llapi.info