Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka pritur në takim komandantin e Brigadës së Reagimit të Shpejtë të FSK-së, gjeneral brigade Fadil Hadërgjonaj dhe Komandantin e Batalionit të tretë të FSK, nënkolonel Sylejman Cakaj, të cilët e kanë falënderuar kryetarin Veliu për bashkëpunimin e treguar në realizimin e ushtrimin fushor “Skifteri 03”, transmeton Llapi.info

Në takimin e sotëm të kryetarit të Komunës së Podujevës, Agim Veliu me gjeneral brigade Fadil Hadërgjonaj dhe kolonelin Sylejman Cakaj u bisedua për rezultatet dhe suksesin e treguar në ushtrimin fushor “Skifteri 03”, i cili u mbajt gjatë muajit mars në territorin e Komunës së Podujevës.

Me këtë rast gjeneral brigade Hadërgjonaj dhe nënkoloneli Cakaj falënderuan kryetarin Veliu për bashkëpunimin e treguar dhe vlerësuan lart kontributin dhe angazhimin e Komunës së Podujevës dhe ndërveprimin e agjencioneve të tjera komunale me Batalionin e Tretë të FSK-së për Reagim të Shpejtë, në arritjen e objektivave të ushtrimit të përbashkët.

Kryetari Veliu gjithashtu u shpreh i kënaqur me bashkëpunimin e treguar dhe angazhimin e Ekipi emergjent të Komunës, pjesëtarëve të FSK-së dhe agjencioneve të tjera (Policisë së Kosovës, Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave (AME), Zjarrfikësit, Shërbimet Mjekësore Emergjente (SHME) dhe Kryqi i Kuq), në kryerjen e operacioneve gjatë ushtrimit fushor “Skifteri 03”.