Kreu komunës së Podujevës, Agim Veliu u ka uruar qytetarëve të Kosovës vitin e ri 2017 duke thënë se vitin 2016 po e përmbyllin si vit të suksesshëm, njofton Llapi.info.
Veliu përmes një postimi në facebook ka bërë apel që të festohet pa të shtëna armësh dhe të ketë kujdes gjatë përdorimit të mjeteve piroteknike.
Postimi i plotë:
“Të nderuar miq,
Të dashur qytetarë,
Me përgjegjësinë e kryetarit të Komunës e them se po përmbyllim edhe një vit të suksesshëm në realizimin e objektivave tona, në të gjitha planet, e që kanë të bëjnë me investime në ngritjen e cilësisë së jetës, standardit dhe mirëqenies së përgjithshme.
Në këto moment feste e gëzimi, përfitoj nga rasti t’i uroj të gjithë qytetarët llapjanë, me dëshirën që viti që po vjen të jetë i mbarë dhe me shumë suksese, për ju dhe familjet tuaja.
Në mënyrë të veçantë i uroj bashkatdhetarët tanë, të cilët me prezencën e tyre në vendlindje, e bëjnë më madhështore festën dhe kanë shtuar gëzimin në familjet tona.
Me dëshirën që Viti 2017 t’i përmbushë të gjitha pritjet tuaja, uroj që të jetë vit i mirëqenies, harmonisë dhe paqes mes nesh!
Në fund, apeloj tek të gjithë qytetarët që të festojnë në mënyrë dinjitoze, pa të shtëna armësh dhe me kujdes, gjatë përdorimit të mjeteve piroteknike!
Gëzuar!
A.V.”