Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu ka vizituar sot disa lokalitete të goditura nga erërat e forta që goditën mbrëmë territorin e komunës së Podujevës. Lajmin për portalin “Llapi.info” e ka bërë të ditur Zyra për Informim në Komunën e Podujevës përmes një komunikate për media.

Në komunikatën e kësaj zyreje thuhet se për të parë nga afër gjendjen dhe dëmet e shkaktuara nga moti i lig, kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, i shoqëruar nga drejtori i Shërbimeve Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim (DSHPMSH), Faik Muçiqi dhe anëtarë të Komisionit për Vlerësimin e Dëmeve nga Fatkeqësitë Natyrore dhe të tjera kanë vizituar lokalitete të ndryshme, të cilat pësuan nga erërat e forta që mbretëruan mbrëmë në Komunën e Podujevës.

Me këtë rast, Veliu ka thënë se dëme janë shkaktuar në infrastrukturë, në bujqësi dhe në ekonomitë familjare.

“Kemi dëmtime të pullazeve të shtëpive të ekonomive familjare, pastaj edhe të pronave bujqësore ku përfshihen serra dhe plantacione tjera. Kemi dëmtim dhe rrëzim të drunjve në Parkun e Paqes”, tha Veliu.

“Gjendja më e vështirë është në fshatra, kurse në qytet dëmet janë më të vogla. Më së shumti dëme ka pësuar rrjeti elektrik, ku kemi shtylla, madje edhe të tensionit të lartë të dëmtuara. Sigurisht se në dëmtimin dhe rrëzimin e shtyllave ka ndikuar edhe vjetërsia e rrjetit elektrik”, ka shtuar Veliu./Llapi.info