Foto: Llapi.info

Vëllai i nënkryetarit të Komunës së Podujevës është emëruar ushtrues detyre i drejtorit të shkollës “Shaban Shala” në qytet. Emërimi i vëllait të nënkryetarit (Nexhmi Rudari), u bë nga zyrtarë komunalë, përkundër që s’ka pasur ndonjë konkurs të hapur për pozitën e drejtorit, njofton Llapi.info.

Shkolla e cila gjendet në qytet, “Shaban Shala” ka mbetur pa drejtor shkolle që nga fillimi i muajit gusht (2019), pas pensionimit të ish-drejtorit Skënder Gashi.

Që nga ajo kohë, ekzekutivi komunal nuk ka hapur ndonjë konkurs për drejtor, ndërsa shkolla udhëhiqej nga zëvendësdrejtoresha e shkollës “Shaban Shala”. Tani me ushtrues detyre.

Në lidhje me këtë çështje, nga Komuna e Podujevës po thonë se emërimi i tij si u.d i drejtorit është bërë pasi është pezulluar Ligji për zyrtarë publikë nga Gjykata Kushtetuese. Por, pezullimi i këtij Ligji kishte ndodhur rreth 3 muaj pas pensionimit të tashmë ish-drejtorit.

“Pa shkuarjes së drejtorit të deritashëm të SH.F.M.U. “Shaban Shala” në pension, mësimdhënësi i kësaj shkolle Sabri Rudari është emëruar ushtrues i detyrës së drejtorit të kësaj shkolle”, ka thënë për Llapi.info zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Nazmi Elezi.

Sipas tij, konkursi për drejtorë shkollash do të shpallet pas të përfundojë periudha e pezullimit të Ligjit për zyrtarë publikë.

“Drejtoria Komunale e Arsimit e ka përgatitur për shpallje konkursin për drejtor të kësaj shkolle, por pezullimi i Ligjit për zyrtarët publikë nga Gjykata Kushtetuese e ka pamundësuar zhvillimin e procedurave të konkursit. Konkursi për drejtorë shkollash do të shpallet sapo të përfundojë periudha e pezullimit të Ligjit për zyrtarë publikë”, ka thënë tutje Elezi.

Elezi nuk ka treguar pse konkursi nuk është hapur para se ish-drejtori të dilte në pension.

Se që do të bëhet shpallja për pozita të drejtorëve e ka thënë për Llapi.info edhe vetë nënkryetari i Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari.

“Kam qenë në dijeni pasi që është emëruar. Ai është ushtrues detyre derisa të hapet konkursi dhe të intervistohen kandidatët që aplikojnë”, ka thënë nënkryetari Rudari.

Duhet theksuar se pikërisht në kohën kur Sabri Rudari ishte mësimdhënës në këtë shkollë, në lëndën e matematikës, kjo shkollë ka korrur suksese të mëdha, derisa shumë nxënës kanë dalë të parët në gara të organizuara në nivel vendi./Llapi.info