Mediat nga Kroacia dhe Bosnjë e Hercegovina e kanë publikuar si lajm kryesor aktgjykimin për liderin e radikalëve serbë Vojisllav Sheshel, të cilin gjykata në Hagë e dënoi me 10 vjet burg.
Portalet kroate “Indeks” dhe “Jutarnji” transmetuan life shqiptimin e dënimit, ndërsa në titujt e lajmeve të tyre thuhet se Shesheli është fajtor, porse s’do të shkojë në burg, sepse i është llogaritur koha të cilën tashmë e ka kaluar atje.
“Vojisllav Sheshel shpallet fajtor”, është titulli i “Indeksit”, ndërsa “Jutarnji” raporton me titull: “VOJISLLAV SHESHELIT I ANULOHET VENDIMI PËR PAFAJËSI Lideri i radikalëve serbë dënohet me 10 vjet burg, por s’do të shkojë në qeli”.
“Novi list” i Rijekës thekson se Shesheli është shpallur fajtor për deportimin e kroatëve, raporton B92.
Ngjashëm, siç transemton Gazeta Express, kanë informuar edhe mediat e Bosnjë e Hercegovinës, të cilat, si dhe mediat kroate, rikujtojnë të gjitha krimet për të cilat kryeçetniku serb ishte akuzuar gjatë gjykimit të shkallës së parë.
Kështu, për shembull, kryeartikulli në portalin “Avaz” është ilustruar me fotografinë e Sheshelit mbi të cilën, me shkronja të mëdha të kuqe, shkruan: “FAJTOR ËSHTË”.
Ndërkaq, vetë Shesheli, para shqiptimit të dënimit, tha se nuk do ta ndjekë transmetimin nga Haga, për shkak se, siç tha “në atë kohë fle dhe s’do ta prishë gjumin.
Këshilli për Ankesa i Mekanizmit për tribunale penale e dënoi Sheshelin me 10 vjet burg, por ai s’do të shkojë në qeli, për shkak se i llogaritet koha e kaluar në paraburgim, prej 11,5 vjet, gjatë procesit gjyqësor.