Në kujtim të themelimit të Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës (LKÇK) u vendosën pllaka përkujtimore në Prishtinë në lokacionet ku ishin bazat e kësaj lëvizjeje. Një pllakë e tillë u vendos edhe në bazën ku kanë qëndruar dëshmorët e kombit Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani.
“Këtu ka qenë shtëpia ku janë rrethuar nga forcat serbe dhe kanë luftuar veprimtarët e Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës- LKÇK. Në këtë bazë, më 12 maj 1998 ka rënë heroikisht Dëshmori i kombit Argon Rrahmani”- thuhet në pllakën e kësaj baze.
Ndërsa, Kreu i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati ka shkruar se shpalosja e gjashtë pllakave të bazave të LKÇK-së që dëshmojnë për një pjesë të rëndësishme të historisë së Prishtinës, Kosovës dhe popullit shqiptar u bë në kohën kur historia po ndërrohet para syve.
Murati ndër të tjera ka shkruar se është “I lumtur që u shënjuan të gjitha ato baza ku vepruan veprimtarët e LKÇK-së, prej bazës themeluese tek shtëpia e një prej themluesëve të LKÇK-së Sabit Gashit e deri tek baza ku ka rënë komandanti Agron Rrahmani. Nderimi shkon edhe për gjithë ata njerëz të mirë e të sakrificës në tërë Kosovën që i hapën dyert për luftëtarët e lirisë, e pa të cilët liria do të ishte e largët.”
Përpos kësaj, Murati ndjehet krenar që shumica e veprimtarëve të LKÇK-së edhe pas luftës nuk kërkuan të nderohen në mënyrë të veçantë për obligimin të cilin e kryen ndaj atdheut dhe popullit./Llapi.info