Kryetari i komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka nënshkruar marrëvehsje bashkëpunimi me drejtireshën e Agjencisë Kadastrale të Kosovë (AKK), Afërdita Thaçi për zbatimin e projektit për plotësimin e sistemit të adresave në territorin e komunës së Podujevës, transmeton Llapi.info.
“Ky projekt ka për qëllim plotësimin, mirëmbajtjen dhe përditësimin e adresave në komunën tonë dhe unifikimi i tyre në një sistem të veçantë të cilat mandej mund të përdoren edhe nga Regjistri i Gjendjes Civile dhe nga sistemi i navigimit të veturave për Kosovën” tha kryetari Bulliqi.
Më tej kryetari Bulliqi deklaroi se “Ky është projekt shumë i rëndësishëm, për qytetarët, bizneset dhe për institucionet në përgjithësi, andaj komuna dhe AKK kanë hyrë në marrëveshje për arritjen e këtij qëllimi”.
AKK nga partneriteti me Bankën Botërore, do ta ndihmojë komunën me udhëzime për realizim të suksesshëm të këtij procesi, përfshi kompletimin e e adresave, mirëmbajtjen, përditësimin dhe vendosjen e emrave të rrugëve, në numrat për shtëpi dhe biznese bazuar në legjislacionin në fuqi.
Ndërsa komuna do të caktojë pikë qendrore për zbatimin e projektit, ekip me ekspertë të fushës dhe pajisjet e nevojshme, inspektimin gjatë procesit dhe do të ofrojë të dhënat përkatëse për projektin.
Memorandumi mbetet në fuqi deri në realizimin e objektivave të parapara në realizimin e plotë të projektit./Llapi.info