Verën e duam për shkak të diellit, detin, larjen, plazhin, koktejet, pushimin vjetor… Mirëpo, dielli, si edhe deti, duhet të kuptohen seriozisht, sepse në të kundërtën do të mund të kemi probleme serioze me sytë.

Thonë që sytë janë pasqyrë e shpirtit dhe shqisa më e rëndësishme. Megjithatë, me secilën dalje në ambient të hapur i rrezikojnë goxha shumë, transmeton Telegrafi.

Asnjëherë nuk duhet harruar se syri është organi më i ndjeshëm ndaj dritës së diellit dhe ekspozimet e gjata ndaj rrezeve ultraviolet mund të shkaktojnë plakjen e syrit dhe dëmtimin e shikimit. Pasojat mund të jenë edhe më të rënda, që nga një sërë patologjish si katarakti apo shkatërrimi i retinës së syrit, deri në humbjen e shikimit.

Mos harroni të mbani syze dielli në plazh. Ky është rregulli numër një. Por syzet të jenë të një cilësie të mirë, ndryshe nuk kanë vlerë. Kujdes më të madh duhet të tregojnë moshat e thyera dhe fëmijët, por kjo nuk do të thotë që të rinjtë, që shpesh janë edhe më indiferentë, të neglizhojnë mbajtjen e syzeve të diellit.

s

Mbrojtja që i bën syri vetes nuk është e njëjtë për të gjithë njerëzit, pasi sytë dhe karakteristikat e syve ndryshojnë sipas tipareve të secilit, ku në këtë rast vlen ngjyra e syve. Kështu, një person me lëkurë me ngjyrë të hapur, ka më pak pigment të iridës së syrit, ndaj është më i ndjeshëm.

Pra, sa më e errët të jetë ngjyra e bebëzes së syrit, aq më e vogël është sasia e dritës së diellit që depërton syri. Ndërkohë që krahas tyre këshillohet të mbahet edhe një kapele me strehë të gjerë.

Nuk duhet të tregoheni indiferent ndaj diellit kur jeni buzëdetit ende, nëse nuk e ndieni se ai ju djeg. Prania e nxehtësisë është e përhapur në mënyrë të njëtrajtshme, edhe pse freskia e detit na krijon një iluzion, që na bën që të mos shqetësohemi shumë për rrezet dhe dëmin që kanë ato për lëkurën, sidomos të fytyrës.

Rreziku i rrezatimit nga dielli është i pranishëm edhe nëse qëndroni në hijen e çadrës. Ndërkohë që në këtë periudhë, rrezet ultra të kuqe, kanë epërsi më të madhe për të goditur zonat e djegura në trup, me qëllim krijimin më pas të infeksioneve apo tumoreve të lëkurës.

Veprimi i rrezeve diellore mund të thajë lëkurën e ndjeshme, ndaj të gjithë personat që kanë këtë tip lëkure, duhet të tregojnë kujdes dhe të ndjekin disa rregulla të thjeshta.