Komisioni qeveritar për shqyrtimin e ankesave për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit, veteranit, pjesëtarit apo të internuarit të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Pas gjithë veprimtarisë në terren dhe pas kalimit të afateve të dorëzimit të ankesave, kompletimit të tyre bashkë me fletë aplikacionet, filloi shqyrtimin e tyre nga 16 qershori, fillimisht me Zonën Operative të Llapit dhe gjatë këtyre ditëve do të vazhdojë me zonat e tjera, sipas renditjes që janë publikuar në listat paraprake.

Komisioni parasheh që brenda periudhës sa më të shkurtër të përfundojë të gjitha ankesat dhe gjatë këtij muaji, qershor, do të fillojë me publikimin e listave përfundimtare.

Kjo gjë iu mundëson marrjen e atributeve të gjithë atyre që kanë gëzuar statusin në kategoritë përkatëse.

“Me kapacitetet tona maksimale do të përpiqemi që sa më shpejt ta realizojmë qëllimin tuaj dhe tonin. Nuk ka nevojë për dyshime dhe as shqetësim, sepse ky realizim ligjor do të jetë i përfunduar shumë shpejt” thuhet në komunikatën për opinion të këtij Komisioni, në të cilën shtohet se “pretendimet se do të dështojë ky proces janë vetëm propagandë, sepse jemi në fazën përfundimtare.”

Komisioni Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit, veteranit, pjesëtarit apo të internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të kujdeset në vazhdimësi që të realizojë të gjitha të drejtat që dalin nga aktet ligjore në fuqi, sa i takon kategorive përkatëse, përfundon komunikata.