Reshje të shumta shiu ka pasur pasditen e sotme në disa vende në Kosovë, ku në Gjilan janë shkaktuar edhe vërshime.

Qytetarët kanë publikuar pamje rreth gjendjes së krijuar pas reshjeve dhe stuhive që ka pasur ditën e sotme.

Ndryshe, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se mot i ngjashëm pritet të mbajë deri më 19 korrik.

IHMK njofton se të dielën parashihet të mbajë mot kryesisht i vranët dhe jostabil. Përpos rrezeve të pakta të diellit do të ketë zhvillim të vranësirave të cilat do të shoqërohen me riga shiu, stuhi lokale dhe shkarkime rrufesh.

Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 15-17 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 26-28 gradë Celsius.