Reshjet e të pandërprera të shiut, në Komunën e Podujevës, kanë shkaktuar vërshime në disa lokalitete, si pasojë e daljes së lumenjve nga shtrati dhe bllokimi kanalizimeve atmosferike.
Për të parë nga afër gjendjen e krijuar në teren nga reshjet e shiut, Nënkryetari i Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari dhe drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim, Faik Muçiqi kanë vizituar disa fshatra, thuhet në kumtesën komunale, njofton Llapi.info.
“Në fshatrat Peran, Bajçinë, Metehi, Dobërdol, Repë, Pakashticë, Popovë, Pollatë, Lupç dhe ndonjë fshat tjetër, ka dalje të lumenjve nga shtrati, me ç’rast uji ka depërtuar edhe në oborret e disa shtëpive”, tha Rudari
Gjatë vizitës në teren, nënkryetari Rudari dhe drejtori Muçiqi kanë konstatuar se në disa vende dalja e lumenjve nga shtrati është shkaktuar si pasojë e ngushtimit të shtratit të lumenjve, por edhe nga grumbullimi i mbeturinave te urat. Ndërsa në fshatin Letanc është bllokuar kanali i grumbullimit të ujërave atmosferike.
Në rrugën regjionale Pollatë – Reçicë ka rrëshqitje të dheut, gjë që vështirëson dhe e bën të rrezikshëm qarkullimin në këtë rrugë.
Ekipet emergjente të Komunës, Brigada e Zjarrfikësve dhe një eskavator i angazhuar nga Komuna vazhdimisht janë në teren për të intervenuar në largimin e ujit nga objektet dhe në hapjen e shtretërve të lumenjve atje ku ka mundësi të intervenohet, veçmas në largimin e mbeturinave të grumbulluara tek urat.
Gjendjen në teren mund ta vështirësojnë edhe më shumë reshjet e pandërprera të shiut./Llapi.info