Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se do ta përkrahte një komision për të hetuar pretendimet se janë fryrë listat e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Këtë deklaratë ai e ka dhënë duke komentuar debatin parlamentar lidhur me një pikë të një rezolute të Lëvizjes Vetëvendosje, ku kërkohet formimi i një komisioni për këtë çështje.
Por ai ka kërkuar që kjo çështje të trajtohet si e ndarë dhe të kursehen goditjet ndaj luftëtarëve të UÇK-së, por edhe t’i shkohet deri në fund qartësimit të saj.
“Nuk është mirë që të manipulohet më këtë çështje. Sepse pastaj po goditen luftëtarët e ata që kanë manipuluar po mbeten anash”.
“T’ia nisim nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, e ta shohim a i kemi familjarët tanë në këto lista. E pastaj të shkohet tek ata që e kanë sha’ UÇK-në, se lëre më që nuk kanë qenë në luftë. Unë e jap nënshkrimin i pari për formimin e këtij komisioni”.