Kosova shumë shpejt do të ketë liberalizimin e vizave, por, fokusi i institucioneve të vendit duhet të jetë në krijimin e një perspektive më të mirë për të rinjtë, për t’i mbajtur ata në vend.
Kështu deklaroi kryeparlamentari Kadri Veseli në një takim me përfaqësues të Korporatës Amerikane “Sutherland Global”, e cila do të hapë 1 mijë vende të punës brenda një viti. Kompani kjo, e cila merret me procesimin e shërbimeve biznesore.
Kryeparlamentari Veseli tha se në kontaktin e tij të parë me këtë kompani i ka inkurajuar drejtuesit e saj që të vijnë dhe investojnë në Kosovë. Sot, tha Veseli, ajo numëron 150 të punësuar, ndërsa brenda dy viteve të ardhshme edhe 1 mijë të tjerë.
Duke vlerësuar punën e kësaj kompanie dhe premtimet për hapjen e vendeve të reja të punës, Veseli u shpreh se Kosova ka një rini të talentuar, e cila është e gatshme të kryejë shërbimet për brende të fuqishme botërore. Ndërsa shprehi gatishmërinë për të mbështetur të rinjtë, duke hapur perspektivë të re për ta.
“Ne presim që shumë shpejt të kemi liberalizimin e vizave. Por ajo çfarë ne më së shumti duhet ta bëjmë, është ta mbajmë rininë tonë të jetojë në Kosovë dhe të krijojë perspektivë. Dekada e re është dekadë e teknologjisë së informacionit, është pikërisht ajo çfarë do të bëjmë. Unë e inkurajoj këtë kompani, ashtu siç e dini kam takuar edhe kompani tjera të të njëjtit lloj, të vijnë në Kosovë, të investojnë në Kosovë”, tha ai, transmeton kp.
Zëvendësdrejtori i kompanisë, Ks Kumar, tha se të gjitha shërbimet që ofron kjo kompani u ofrohen kompanive më të mëdha në botë. Ai tha se ndihet i kënaqur që për katër muaj të operimit të saj në Kosovë, kompania ka arritur të punësojë 150 të reja dhe rinj kosovarë.
“Jemi të kënaqur që për katër muaj sa edhe operojmë në Kosovë, kompania jonë ka arritur të punësoj 150 të rinj dhe të reja të cilët punojmë për kompaninë me bazë në Prishtinë. Falemnderit prej kryetarit të parlamentit, për pritjen që na ka bërë. Ky ëshët vetëm fillimi dhe besoj që në kohë prej 24 muaj ne do të jemi në gjendje të ofrojmë edhe 1 mijë vende të punës në Kosovë”, tha ai.
Ai shprehu besimin se me mbështetjen e institucioneve do të krijohen vende dhe kushte shumë të mira të punës duke bërë që të rinjtë e Kosovës të mos largohen nga vendi.
Edhe drejtor i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka tha se qëllimi është i përbashkët, që të rinjtë të mos largohen nga vendi. Teksa vlerësoi se investitorë të tillë janë më se të nevojshëm.
“Kompania ka plane të mëdha për t’u shtrirë në Kosovë, tashmë e kemi parë këtë. Por natyrisht ka nevojë edhe për mbështetjen e shtetit. Shteti duhet të investojë tutje në kuadrot profesionale gjë që është njëra prej shqetësimeve kryesore të investitorëve që vijnë në Kosovë. Edhe OEK do të jetë këtu që ta bëjë të njëjtën. Në fund të fundit besoj se qëllimi është i përbashkët, që ta mbajmë rininë në Kosovë, t’i mbajmë kuadrot profesionale në Kosovë, dhe që të mos t’i lëmë të na ikë ajo që quhet si pjesa inteligjente ose truri meqenëse është një breng e të gjitha vendeve. Këtu besoj se në bëjmë një dallim dhe se jemi në rrugë të duhur ”, tha ai.