Kryeparlamentari dhe kreu i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, sot ka marrë pjesë në debat me strukturat e degës së PDK-së dhe qytetarët e Podujevës, raporton Llapi.info.

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli i shoqëruar nga kryetari i degës së kësaj partie në këtë komunë Naim Fetahu, kanë folur para të pranishmëve për vizionin dhe rolin e PDK-së.

Për procesin e brendshëm zgjedhor, në një fjalim rasti kreu i PDK-së, Kadri Veseli ka thënë se PDK ka treguar se si mund të zhvillohet një proces zgjedhor. Veseli përpara llapjanëve ka shtuar se tani pas dy dekadave të lirisë së Kosovës, nuk guxohet të mendohet për dilema të shtetit.

“PDK ka treguar shembullin se si respektohet vota, demokracia dhe se si mund të zhvillohet koncepti i ri në një ambient konkurrues, që në pak vende ndodhin në Ballkanin Perëndimor, por edhe në Evropën Juglindore që të ketë këso mënyre të përzgjedhjeve. Ne duhet të punojmë shumë për Podujevën, por edhe për Kosovën se njerëzit presin shumë nga ne. T’iu ofrojmë mundësi edhe këtyre njerëzve që ta na zgjedhin dhe besojnë. Dy dekada pas lirisë nuk guxojmë me mendua që të ketë dilema mbi shtetin tonë”, ka thënë Veseli, raporton Llapi.info.

Kryeparlamentari Veseli ka thënë se Kosovës po i bëhet padrejtësi duke mos u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Sipas tij, Kosova i takon BE-së.

Veseli ka shtuar se vetëm PDK-ja mund ta bëjë Kosovën vend për të jetuar.

“Rinia donë ma shumë dhe kanë të drejt. Duan më shumë punë, perspektivë dhe këtë do ta bëjmë me konceptin e Dekadës së Re. Kemi obligim t’iu japim mundësi qytetarëve të Podujevës dhe të Kosovës që edhe ata të jenë kontribut dhënës. Prioritet i yni mbetet anëtarësimi në BE, pavarësisht se po ndodhin padrejtësi ndaj Kosovës, por ne nuk duhet të ftohemi nga Bashkimi Evropian se ne i takojmë Evropës. Duhet të punojmë më shumë, që Kosovën duhet ta bëjmë një mundësi për të jetuar, e këtë ka mundësi ta bëjë PDK-ja. Ky është besimi që ne kërkojmë nga qytetarët e Podujevës që të jen më të fuqishëm në konceptin e partisë tonë. PDK s’ka pasur mundësi që ta udhëheqë Podujevën asnjëherë deri më tani, por PDK-ja ka bërë Podujevën gjatë këtyre dekadave”, ka deklaruar ai./Llapi.info