Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, në konferencën “Dekada e ardhshme e Kosovës: Avancimi i Reformave, Bashkëpunimi rajonal dhe Integrimi Evropian”, organizuar nga Grupi për Hulumtimin e Politikave në Ballkan, ka thënë se dekada e re e pavarësisë së Kosovës është dekada e shpresës dhe e nevojës për ndryshim të shpejtë të vendit
Duke bërë një bilanc të 10 viteve të shtetësisë së Kosovës, kryeparlamentari Veseli tha se në pak vite Kosova ka arritur rezultate që të tjerëve u janë dashur shumë dekada t’i arrijnë. Megjithatë, Veseli tha se ka qenë e mundur të bëhet edhe më shumë, edhe më mirë.

Veseli tha se Kosovës i duhet një konsensus që të mos harxhohen energjitë në temat e paqena.

“Orientimi ynë properëndimor, forcimin i shtetësisë dhe orientimit ekonomik nuk duhej të vihen në pikëpyetje”, tha ai.

Veseli ka shpjeguar se pse doli të hënën me platformën konsensuale, duke treguar se çka kishte diskutuar me LDK-në.

“Kam pasur bisedime paraprake edhe me opozitën, po flas për LDK-në me të cilën jemi pajtuar për një platformë. Jemi përgjigjur pozitivisht ftesës së LDK-së vetëm të mos e kthejmë në garë politike.

Duam të shkojmë në zgjedhje, le të shkojmë në zgjedhje vetëm të mos i kthejmë çështjet nacionale në fitim partiak”, tha ai.