Kuvendi i Kosovës nuk po mund të mbajë seancë të rregullt për shkak të bojkotit që po e bënë opozita. Vetëm sot Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ka qenë i detyruar ta ndërpresë dy herë seancën për të thirrur mbledhjen Kryesisë.
“Kryesia ka vendosur që seanca të vazhdojë në ora 15:00. Do të vazhdojë në bazë të procedurave të cilat i kemi. Thërras kolegët deputetë që të shmangin bojkotin pasi bojkoti do të thotë varfërim dhe mungesë të ligjeve për Kosovën. Vetëm me vonesat që po bëjmë në ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare kemi të bëjmë me dhjetëra mijëra euro. Në të njëjtën kohë projektligjet që presin e që ndihmojnë direkt qytetarin”, ka thënë Veseli, transmeton Indeksonline.
Veseli ka porositur të gjithë që dëshirat politike si vullnet pozitë dhe opozitë të mos konsumohen në kurriz të qytetarëve.
“Imagjinoni ligjin për legalizimet që kemi pasur deri më tani pra, kemi edhe ligjin e pronave në komuna, atë të shërbimeve postare e shumë ligje të tjera që janë në interes të qytetarëve që të votohen të gjitha ligjet. Dëshira politike e cila është vullnet politik pozitiv dhe opozitë mos të konsumohet në kurriz të qytetarëve por të jetë një veprim i cili është legjitim opozitar, qoftë edhe mocion rrëzimi për qeverinë aktuale”, ka shtuar Veseli.
Sipas tij nuk është taktikë e mirë që të improvizohet brenda seancave se vullneti politik po ndërron në bazë të disponimit individual.
“Në Kuvend nuk jemi për disponime individuale, jemi për respektim të qytetarëve, kushtetueses, sovranitetit dhe rregullimin e prospektives së qytetarëve për rrugëtimin euroatlantik. Në këto rrethana ne do të shkojmë në pushim shumë shpejtë pasi është një numër i madh i deputetëve që po tregojnë punën këtu dhe të cilët kanë nevojë për pushime, pra do të njoftoheni shumë shpejtë nga Kuvendi. Por më e mira do të ishte të kaloheshin ligjet”, ka përfunduar Veseli pas mbledhjes së Kryesisë.