Sot, me rastin e 28-vjetorit të Deklaratës së 2 Korrikut 1990, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, priti në takim delegatët e Kuvendit të Kosovës, nëshkrues të kësaj deklarate.
Kryeparlamentari Veseli uroi delegatët për këtë ditë të rëndësishme, ndërsa çmoi lart kontributin e tyre në kohë dhe rrethana të vështira.
“Akti juaj madhor i parapriu proceseve të tjera të rëndëishme në vitet në vijim: rezistencës paqësore dhe luftës së armatosur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që kulmoi me çlirimin e Kosovës dhe vite më vonë me shpalljen e pavarësisë së saj”, theksoi kryeparlamentari Veseli.
Udhëheqësi i delegacionit të delegatëve, Iljaz Ramajli, falënderoi kryeparlamentarin Veseli për pritjen tashmë tradicionale për ish-ligjvënësit e Kosovës, duke dhënë kështu mesazhin e përkujdesjes dhe vlerësimit të kontributit të brezave për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.