Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se dy heronjtë Fahri e Bahri Fazliu nga Llausha e Podujevës janë dëshmia më e fuqishme se historikisht familja kosovare ka qenë qendër e rezistencës për liri.
Kështu Veseli tha në 20-vjetorin e rënies së dy heronjve.
Veseli tha se të dy vepruan në një kohë kur të paktë ishin ata që besonin tek lufta për liri. Sipas Veselit, Fahri e Bahri Fazliu besonin tek fuqia e popullit për ta arritur çlirimin dhe nuk u gabuan.
“Fahriu ra dëshmor në fillimet e Lëvizjes sonë kombëtare për çlirimin e Kosovës, bashkë me ideologun e lëvizjes studentore, Afrim Zhitinë. Ata u bënë shembull i guximit dhe sakrificës për atdhe për të gjithë ne. Bahriu nuk u dekurajua nga humbja e vëllait të tij. Vazhdoi edhe më fuqishëm aktivitetin ilegal. Ishte njeriu i penës dhe i pushkës”, theksoi Veseli.
“Rruga e lirisë ishte bërë e pakthyeshme, falë veprimtarisë atdhetare të djemve të tillë si Fahri e Bahri Fazliu. Ne do t’i nderojmë gjithmonë, sepse përgjithmonë do të jetojë vepra e tyre e madhe: liria dhe pavarësia e Kosovës” tha mes tjerash Kadri Veseli.