Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, e ka quajtur të papranueshëm kërcënimin e familjeve të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, nga komuniteti serb.
“Dënojmë të gjitha aktet që kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës dhe cenimin e jetës së qytetarëve tanë. Dhe sigurojmë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, pa dallim etnie, se ne do t’i mbrojmë ata”, ka shkruar Veseli në Facebook.
Veseli ka shtuar se sot policia ka përmbushur detyrën duke arrestuar pesë persona të dyshuar për cenim të sigurisë dhe rendit, ndërsa ka thënë se tentimet e Serbisë për të penguar integrimin e serbëve të Kosovës janë në kundërshtim të fqinjësisë së mirë, interesave të qytetarëve serbë në Kosovë, vlerave evropiane dhe aspiratave për integrimin në BE.
“Institucionet e Kosovës janë gjithmonë të gatshme për dialog dhe fqinjësi të mirë. Çdo provokim nga Serbia, që e lëndon këtë proces, nuk i kontribuon interesave të të dyja vendeve që synojnë normalizimin e marrëdhënieve dhe stabilitetin e paqen në Ballkan”, ka shkruar më tej ai.