Një vetë-aksident trafiku ka ndodhur mbrëmë rreth orës 20:00 në kilometrin e parë të magjistrales Merdare – Podujevë – Prishtinë, raporton Llapi.info.
Në këtë vetë-aksident kanë pësuar lëndime të rënda trupore dy persona, ku është përfshirë një automjet me targa të huaja dhe me drejtues shqiptar – shtetas austriak.
Si pasojë e aksidentit, lëndime trupore kanë pësuar drejtuesi i automjetit dhe një pasagjere femër shqiptare – shtetase austriake, e cila ka ndërruar jetë në QKUK.
Sipas Policisë së Kosovës, deri te aksidenti dyshohet se ka ardhur nga pakujdesia e drejtuesit të automjetit.
“Të lënduarit janë dërguar në QKUK për tretman mjekësor, mirëpo viktima femër nga lëndimet e pësuara ka ndërruar jetë. Me urdhër të prokurorit kujdestar, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML”, ka konfirmuar Policia e Kosovës.
Ndërkaq, aksidenti ndodhi në këtë pjesë të magjistrales e cila nuk përfundoi kurrë nga punimet. Sipas dëshmitarëve, aksidenti ka ndodhur në këtë rrugë ku ka mungesë të shenjave dhe si pasojë e punimeve ka ardhur deri te aksidenti fatal. Po ashtu, sipas tyre, mbrojtëset kanë qenë të përgjysmuara./Llapi.info