I dështuar konsiderohet Ligji nr.04/L-188 për trajtimin e ndërtimeve pa leje nga zyrtarët komunalë të Podujevës. Vetëm 38 kërkesa u kanë shkuar atyre për legalizim, shkruan sot Koha Ditore.
Drejtori i Planifikimit Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit, Durim Salihu, ka thënë se ky ligj kërkon procedura të stërngarkuara për qytetarët.
“Në fazën e regjistrit të ndërtimeve pa leje i kemi pasur 4789 aplikues. Ndërsa në fazën e dytë për legalizim kanë qenë vetëm 38 veta që kanë aplikuar. Shkaku pse kemi një numër aq të vogël janë procedurat e stërngarkuara për qytetarë. Ky është dështim jo vetëm në Podujevë, por në nivel vendi”, ka thënë Durim Salihu. (Sot, më gjerësisht në “Kohën Ditore”).