Çdo lëshim i bërë në listat e publikuara për veteranë e invalidë është hedhur mbi komandantët e njësive vartëse të UÇK-së, shkruan Koha Ditore.

Çelë Gashi, anëtar i Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit të UÇK-së apo të internuarit të UÇK-së nga ZOLL-i, ka thënë se listat janë bërë nga komandantët dhe se në këtë proces ai ka qenë vetëm monitorues.

Gashi e ka pranuar se ka hasur në probleme gjatë kohës së monitorimit dhe se ua ka tërhequr vërejtjen disa herë. Edhe pse nuk i ka pëlqyer që tash të shkruhet rreth kësaj teme, ai ka premtuar se gjithçka do të përmirësohet.

“Koha Ditore” ka siguruar listën e ZOLL-it që ishte përgatitur pas luftës. Pak persona e kishin një të tillë. Aty figurojnë 2 mijë e 292 veteranë nga tri brigada, 181 të plagosur dhe 42 të lënduar të UÇK-së.

Sot, ky numër është shumëfishuar. Lista preliminare që ka publikuar Komisioni qeveritar përmban 3.059 veteranë dhe 913 invalidë që përfshinë edhe të lënduarit.