Shoqata e Invalidëve të Luftës së UÇK-së, dega Besianë/Podujevë thekson se ka mbajtur një takim të përbashkët me anëtarët e shoqatës apo me të plagosurit e luftës së UÇK-së.
Sipas një komunikate për media, në këtë takim u diskutua për pakënaqësitë rreth fryrjes së listave të veteranëve dhe invalidëve të UÇK-së duke pasur mundësi që secili invalid apo veteran i UÇK-së te shpreh lirshëm shqetësimin e tij.
Po sipas komunikatës, nga takimi në fjalë kanë dalë disa vendime edhe kërkesa të cilat janë:
– Anëtarët e Shoqatës së Invalidëve të UÇK-së, dega në Besianë kërkojnë nga Komandantët e Zonës Operative të Llapit që të formulojnë listat e njësive (pikave) të tyre duke u nënshkruar ato nga të gjithë ushtarët e njësisë, këto lista të sillen para Komisionit qeveritar për të ri-identifikuar edhe njëherë veteranët dhe invalidët e UÇK-së ne tërësi.
– Anëtarët e Shoqatës së Invalidëve të UÇK-së, dega në Besianë i bëjnë thirrje Komisionit Qeveritar që të shqyrtojnë edhe një herë listat e publikuara më herët në mënyrë që të evitohen të gjitha problemet dhe pakënaqësitë që tashmë janë të shfaqura te invalidët dhe veteranet e UÇK-së, për shkak të fryrjes së tyre.
– Anëtarët e Shoqatës së Invalidëve të UÇK-së, dega në Besianë kërkojnë nga Zona Operative e Llapit dhe nga Komisioni qeveritar që publikimi i listave të bëhet i ndarë sipas njësive (pikave) të ZOLL-it, e jo sipas renditjes alfabetike, kështu duke ju pamundësuar futjen në njësi atyre të cilët nuk kanë qenë pjesë e njësisë.
– Anëtarët e Shoqatës së Invalidëve të UÇK-së, dega në Besianë kërkojnë nga Komisioni qeveritar që lista e Invalidëve të UÇK-së të publikohet e ndarë në:
-Të plagosur dhe
-Të lënduar
Arsyeja e ndarjes së listave është për shkak të mosbarazisë së këtyre dy kategorive të cilat tashmë figurojnë në një listë të vetme.
Ne posedojmë komplet listat e vjetra të Invalidëve dhe Veteranëve të Zonës Operative të Llapit dhe nëse nuk bëhen pastrimi i listave ne do t’i publikojmë të gjitha listat një nga një sipas njësive të ZOLL-it.
– Në këtë takim Invalidët dhe Veteranët njëzëri u pajtuan që të kërkohet dorëheqja e Komisionit qeveritar në qoftë se këto kërkesa nuk merren për bazë.
– Në këtë takim edhe njëherë u përkrah vendimi i mëhershëm për mosnjohjen e këtyre listave deri në pastrimin e tyre.