Analisti Dardan Gashi dhe ish-luftëtari i UÇK-së, njëherësh edhe aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Krasniqi janë përplasur për temën e veteranëve.

Gashi e ka kritikuar Qeverinë e Kosovës, se po bën “drama e filma”, në lidhje me kërkesat e veteranëve për rritjen e pensioneve të tyre karshi pagës minimale që pritet të rritet nga 170 në 250 euro neto.

Ai tha se pranimi i ftesës për t’u takuar me kryeministrin Albin Kurti, nga ana e veteranëve është hap i gabuar.

“Veteranet kanë gabuar që e kanë anuluar protestën, është dashur të rrinë, sepse kanë arsye të protestojnë. Këta veteranë që janë ofenduar nga Kurti dhe Ministri i Financave”, ka thënë ai.

Gashit, i është kundërpërgjigjur, ish-luftëtari Dardan Krasniqi, i cili ka thënë se fajin për gjendjen jo të mirë të veteranëve e ka opozita dhe jo qeveria e tanishme.

Sipas tij, opozita po e përdor rastin e veteranëve për të krijuar kauza të rreme.

Sipas tij, veteranët e rremë janë produkt i partive opozitare.

“Duke e ditë që kjo kategori që 23 vite nga ish-pushtetet janë trajtuar jo dinjitetshëm, Qeveria Kurti, duhet ta marrë në mbrojtje kategorinë e veteranëve që të mos e lejojë opozitën që e kanë pru punën deri këtu të krijojnë kauzë”, ka thënë ai.

Tutje, Krasniqi, ka thënë se problem edhe më i madh do të jetë kur të fillohet procesi i “pastrimit” të listave.

Sipas tij ka nga ata që i kanë dhënë deri në 5 mijë euro për t’u përfshirë në listat e veteranëve.

“Sfida kryesore në Kosovë, do të jetë kur do të fillojnë të pastrohen listat, kur të dalin njerëzit prej listave që i kanë dhënë nga 5 mijë euro, atëherë do të instrumentalizohen veteranët keq”, ka thënë ai.

Si kundërpërgjigje, analisti Dardan Gashi, ka thënë se edhe kryeministri Albin Kurti, është përfshirë në listat e veteranëve në mënyrë të paligjshme.

Po ashtu, Gashi ka thënë se më me rëndësi është të “pastrohen”, listat e të punësuarve në KEK, se sa të veteranëve.

“A ndihesh mirë si veteran, që qeveria jote i thyen shtizat për veteranët? Pse është më rëndësi ti ndreqin listat e veteranëve, pse nuk po i shikojnë edhe listat e të punësuarve në KEK”, ka thënë ai./Portali D/