Veterani i luftës së fundit në Kosovë, Shaqir Softolli nga fshati Lladoc i Podujevës ka mbetur pa shtëpi më shumë se një muaj si pasojë e zjarrit, njofton Llapi.info
Përveç ndihmave të njerëzve vullnetmirë, kryefamiljarit nuk i kanë ardhur ndihma asgjë nga Komuna e Podujevës. Kështu ka thënë përfaqësuesi i këtij fshati Abdullah Softolli, në Kuvendin Komunal kur po debatohej për rregulloren që parasheh bashkëpunimin e Komunës me vendbanimet, fshatrat dhe lagjet e territorit të Komunës së Podujevës.
“Marre, marre për Komunën me thanë nuk i kemi 10 mijë euro për një shtëpi. E kjo është pakënaqësia më e madhe e komunitetit të fshatit. Kemi bërë ankesë, ka qenë një djalë këtu se kanë pranuar hiç, kërkush asgjë s’ka marr diçka për atë njeri. Kurrfarë paraje e ndihme prej Komunës. Marre mos me kanë të zotë me i ndihmue një personi me katër fëmijë të vegjël”, ka thënë ai.
Më tej ai ka përmendur edhe disa probleme tjera që banorët e këtij fshati ballafaqohen ç’do ditë, e sidomos rruga në gjendje të mjerueshme në lagjen e Mehënve.
“Kurgjo nuk është paraparë për këtë vit për fshatin Lladoc edhe pse ka kërkesa e pakënaqësi të shumta, buxheti nuk është i juaji, duhet me punu”, ka thënë tutje ai.
Në anën tjetër edhe përfaqësues të fshatrave tjera, në këtë debat u shprehen se duhet t’i dalin në ndihmë kësaj familje.
Kujtojmë, se javë më parë nëpër xhamitë e Komunës së Podujevës, me ftesë të BIK-ut është mbajtur aksion për grumbullimin e parave për t’i dalë në ndihmë familjes Softolli.
Në ndërkohë, për këtë Propozim të Rregullores në Kuvendin Komunal të Podujevës do të mbahen takime publike me qytetarë deri më 3 shtator./Llapi.info