Lëvizja Vetëvendosje e ka cilësuar si degradim të Gjykatës Kushtetuese, me synim kryesor legjitimimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, vendimin e presidentit Hashim Thaçi për dekretim të Radomir Laban si gjyqtar në Kushtetuese.
Nëpërmjet një shkrimi në llogarinë zyrtare në Facebook, Vetëvendosje nënvizon se e ka paralajmëruar presidentin se i njëjti është i dënuar me gjashtë vjet burg si pjesëtar i një grupi kriminal, por se nuk ka marrë përgjigje nga shefi i shtetit asnjëherë.
Më tutje, subjekti që drejtohet nga Albin Kurti zotohet se nuk do ta lejojnë këtë “degradim” të Gjykatës Kushtetuese dhe se do të punojë për të parë të gjitha mundësitë e zhbërjes së “këtij dëmi”.
Komunikata e poltë e VV- së
Dëmet e Hashim Thaçit nuk kanë të ndalur
Partitë në pushtet, së bashku me disa deputetë nga opozita, pas pazareve me Listën serbe, në muajin maj të këtij viti kishin votuar Radomir Laban, për gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese.
Menjëherë pas kësaj, bazuar në legjislacionin në fuqi, ne i kemi kërkuar zyrtarisht Presidentit, të mos e dekretoj personin në fjalë, pasi që i njëjti është dënuar me 6 vite burg si pjesëtar i një grupi kriminal “Mafia doganore”. Por Presidenti nuk ka kthyer kurrë përgjigje zyrtare në lidhje me këtë kërkesë.
Hashim Thaçi ka qenë në dijeni për gjitha këto dhe përkundër kësaj ka rehabilituar në institucionin kushtetues një person me të kaluar kriminale.
Rehabilitimi i një personi me të kaluar kriminale në institucionin më të lartë kushtetues, përveç që e degradon edhe më tej cilësinë e këtij institucioni, i katandisur si mos më keq për shkak të ndërhyrjeve dhe presioneve, ka për qëllim kryesor legjitimimin e “Zajednicës” dhe projekteve tjera të dëmshme.
Ne nuk do ta lejojmë këtë dhe do të shohim gjitha mundësitë për çbërjen e këtij dëmi.