Lëvizja Vetëvendosje, nëpërmjet një reagimi, e ka akuzuar pushtetin lokal, për punësime të jashtëligjshme në kohë fushate, njofton Llapi.info.
Sipas VV-së, kjo po bëhet nga frika e humbjes së pushtetit duke punësuar pa konkurs.
“Pushteti lokal nga frika e humbjes së pushtetit, po bën veprime të paligjshme dhe në kundërshtim me rregullat dhe procedurat administrative për punësim. Sot është punësuar në Shkollën Ekonomike ‘Isa Boletini’ një person i cili është punësuar pa konkurs dhe pa i ndjekë rregullat procedurale të punësimit. Rekrutimet e tilla diskriminuese ndaj qytetarëve të komunës, janë të papranueshme”, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes.
“Njoftojmë opinionin që ne si Lëvizje Vetëvendosje, nesër si udhëheqje e re komunale do t’i rishqyrtojmë të gjitha vendimet që janë marrë në kohë të fushatës, pa i respektuar normat dhe rregullat ligjore”, ka theksuar VV-ja në reagim.
Dje në Podujevë ka nisur fushata parazgjedhore për zgjedhjet e 15 marsit për kryetar të kësaj komune./Llapi.info