Lëvizja Vetëvëndosje në Podujevë përmes një iniciative ka mbledhur nënshkrimet e nevojshme për të thirrur një seancë të jashtëzakonshme në Kuvendin Komunal të Podujevës. Nga 12 nënshkrime sa ka qenë e nevojshme për tu mbledhur, ajo ka mbledhur 14 nënshkrime. Kërkesa për këtë seancë të jashtëzakonshme është dorëzuar sot në Komunën e Podujevës, ndërsa dita e mërkurë është si ditë orientuese kur do të mbahet kjo seancë.
Haki Rudari, shef i grupit të këshilltarëve nga rradhët e Lëvizjes Vetëvëndosje në Podujevë, ka bërë të ditur për llapi.info se kërkesa për seancë të jashtëzakonshme është përkrahur nga këshilltarët e grupit të PDK-së, nga këshilltari i AAK-së, nga ai i LB-së, si dhe nga Kadri Avdiu, këshilltar nga Grupi 3+.
Rudari ka njoftuar se pikë e rendit të kësaj seance do të jetë gjendja e arsimit në Komunën e Podujevës.
“Pikë e rendit të ditës në këtë seancë do të jetë gjendja e arsimit në Komunën e Podujevës, me theks të veçantë në fshatin Halabak si pasojë e djegies së shkollës në prag të vitit shkollor”, ka thënë Rudari.
Ai ka theksuar se gjendja e arsimit në Komunën e Podujevës po përcillet me vështirësi të shumta si pasojë e menaxhimit jo të mirë dhe politizimit të skajshëm të arsimit.
“Mungesa e mjeteve shkollore në fshatin Halabak dhe Kaçibeg, pranimi i kuadrove pa kritere, mungesa e drejtorëve në disa shkolla, shumë shkolla me ushtrues detyre të drejtorëve afër dy vite, mungesa e kabienteve, tereneve sportive, janë disa nga problemet e shumta që ballafaqohet arsimi në Podujevë. Ne konsiderojmë që përkes kësaj seance të identifikojmë këto probleme, të japim alternativa që janë në interes të nxënësve dhe ngritjen e cilësisë në arsim”, ka shtuar Rudari.
Ai ka bërë të ditur se dita e mërkurë është si ditë orientuese kur do të mbahet kjo seancë.
Kjo është hera e parë që Lëvizja Vetëvendosje në Podujevë ka arritur të mbledh nënshkrimet për të thirrurr një seancë të jashtëzakonshme në Kuvendin Komunal të Podujevës./Llapi.info