Lëvizja Vetëvendosje dega në Podujevë gjatë ditës së sotme ka ngritur kallëzim penal ndaj të parit të Komunës së Podujevës, Agim Veliu, raporton Llapi.info.
Ky kallëzim penal, sipas Lëvizjes Vetëvendosje ka ardhur si shkak i mbajtjes në punë të një personeli i cili, sipas këtij kallëzimi e që Llapi.info e ka siguruar, ka dëmtuar buxhetin e komunës me rreth 10 mijë e 100 euro.
Duke u bazuar në nenin 221 të Kodit Penal të Kosovës nr.04/L-082, VV ka ngritur këtë kallëzim kundër Kryetarit të Komunës së Podujevës, Agim Veliu pasi i njëjti ka mbajtur në punë Ahmet Ahmetin, si udhëheqës i personelit me status të punësimit- nëpunës civil i karrierës.
“Kundër vartësit të drejtpërdrejtë të të paditurit z.Ahmet Ahmeti në vendin e punës- Udhëheqës i personelit, me status të punësimit-nëpunës civil i karrierës, ndaj të cilit më datën 18.03.2015 është iniciuar procedim penal në Prokurorinë Themelore në Prishtinë dhe i padituri nuk ka zbatuar Ligjin nr.03/L-149 për Shërbim Civil të Republikës së Kosovës dhe Rregulloren nr.04/2011 për procedurat disiplinore në shërbim civil, që me mosveprim ka dëmtuar buxhetin në shumën prej 9 mijë e 580 euro e 56 cent, për periudhën 18.03.2015 deri në nxjerrjen e Aktgjykimit P.nr29/18 të datës 28.03.2018, me të cilin shpallet fajtor” thuhet në kallëzim penal.
Sipas po të njëjtin kallëzim, VV vlerëson se ”i padituri në cilësinë e drejtuesit të drejtpërdrejtë të të akuzuarit nuk ka vepruar sipas obligimit ligjor, konform nenit8 paragrafi 1 nënparagraf 1.1 të Rregullores nr.04/2011 për Procedurat Disciplinore në Shërbim Civil, që për shkelje të rënda- serioze, në rast hetimi për vepër penale duhet t’i shqiptohet pezullimi parandalues, konform nenit, paragrafit dhe nënparagrafit të cekur ku thuhet “ pezullimi parandalues me pagesë deri tre muaj në pritje të mijë hetimi i cili duhet të propozohet nga mbikëqyrësi i drejtpërdrejtë dhe të miratohet nga organi përgjegjës të personelit në institucion” që në rastin konkret i padituri ka qenë i obliguar edhe nga statusi i zyrtarit kryesor administrative t’a pezullojë vartësin e vet.”
Duke u bazuar në këtë kallëzim dhe sic thuhet, në gjendjen faktike dhe të vërtetën materiale Vetëvendosje ka kërkuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, që ky kallëzim penal të marrë epilogun me një aktgjykim meritor të gjykatës.
“Kështu që i padituri duke mos zbatuar procedurat dhe ligjin apo duke shkelur procedurat dhe ligjin edhe ka dëmtuar buxhetin në shumën 9,580,56 euro duke llogaritur pagën bruto në lartësi prej 580,64 euri në muaj kohëzgjatje 33 muaj, që ka marrë pagë në kundërshtim me ligjin.
Prandaj duke u bazuar në provat e bashkangjitura, gjendjen faktike dhe të vërtetën materiale, i padituri ka kryer vepër penale konform nenit 221 dhe 422 të Kodit Penal të Kosovës duke keqpërdorur detyrën apo autoritetin zyrtar gjegjësisht dëmtuar buxhetin e institucionit. Kërkojmë nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, që në pajtim me procedurat dhe ligjit, ky kallëzim penal të marrë epilogun me një aktgjykim meritor të gjykatës” përfundon kallëzimi penal i VV-së