Anëtarë të shumtë të lëvizjes Vetëvendosje në krye me kryetarin e saj Albin Kurti, e me përkrahje të kryetarit të komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, e nisën në veriun e vendit mobilizimin për thirrje për protestën e 29 shtatorit.
Me moton “Një popull nuk i nënshtrohet një njeriu” u thirrën edhe deputetja e kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, e nënkryetari i Mitrovicës, Faruk Mujka, sipas të cilëve këto ditë nëpër të cilat po kalon Kosova janë më të vështirat që nga viti 1999.
Ndonëse u paralajmërua se protesta do të jetë e qetë dhe paqësore, Agim Bahtiri tha se nëse është nevoja, për mbrojtjen e territorit të shtetit do të luftohet edhe me gjak.
Protestuesit u ftuan që ta ndalin presidentin e vendit Hashim Thaçin, që të mos bëj pazare me shtetin dhe të tregojnë se sovrani i vetëm është vetë populli.
“Me datën 29 shtator do të tregojmë se populli i Kosovës nuk i ka rënë pishman pavarësisë së vendit ashtu si Hashim Thaçi” ishte thirrja e Kurtit.
Kurti kërkoi edhe një minutë heshtje për nder të Fatime Hetemit dhe Gjevë e Fehmi Lladrovcit.