Policia e Kosovës në raportet ditore të saj ka njoftuar për incidentet që kanë ndodhur gjatë ditëve të javës që lamë pas në Podujevë, raporton Llapi.info
Kësisoj në raportin e së martës Policia ka njoftuar se të hënën në Podujevë i biri ka sulmuar fizikisht nënën e tij, viktima ka pranuar tretman mjekësor, kurse i dyshuari është dërguar në mbajtje.
“Podujevë 09.07.2018-14:55. Është arrestuar i dyshuari mashkull K-Shqiptar, pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje ka sulmuar fizikisht nënën e tij viktimën femër K-Shqiptare. Viktima ka pranuar tretman mjekësor ndërsa me urdhër të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje”, bëhet e ditur në njoftim.
Kurse gjatë mbrëmjes të së martës një person i kërkuar është arrestuar në fshatin Dobërdol, i njëjti për vuajtje të dënimit është dërguar në burgun e Dubravës.
Të mërkurën në fshatin Bajqinë të Podujevës një person është vetëvrarë. Rastin për vdekje të dyshimtë për Llapi.info e konfirmuar zëdhënësja e Policisë në Podujevë, Antigona Çitaku. Kurse siç mëson Llapi.info personi në fjalë me iniciale E.T është vetëvrarë.
Kurse mbrëmjen e së enjtes në Podujevë pas mesnatës në rrugën “Enver Maloku” është plagosur një person, Policia ka njoftuar se, me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake është kontrolluar shtëpia e të dyshuarit, i cili gjendet në arrati.
Viktima është dërguar për tretman mjekësor në QKUK dhe njësit relevante policore janë duke hetuar rastin.
Po në këtë ditë një person në Gllamnik është arrestuar. Policia ka njoftuar se personi në fjalë ka qenë i kërkuar, i njëjti për vuajtje të dënimit është dërguar në burgun e Dubravës.
Përgjatë vikendit në Podujevë janë shënuar incidente të ndryshme. Kështu të shtunën në fshatin Bellopojë është arrestuar një person i kërkuar. Arrestimi i tij sipas PK-së është bërë në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë – dega në Podujevë. I njëjti për vuajtje të dënimit është dërguar në burgun e Lipjanit.
Ndërsa, të dielën në fshatin Lupq ankuesi mashkull ka hasur në një mjet të dyshuar të pashpërthyer. Sipas njoftimit të PK-së njësiti për deminim i FSK-së ka bërë tërheqjen e mjetit në mënyrë të sigurt.
Po ashtu të dielën në fshatin Shajkoc janë ndalur dy persona nën dyshimin se të njëjtit kanë dalë në gjueti me dy pushkë pa leje me dy fishekë që janë sekuestruar. Të dy janë ndaluar por me vendim të prokurorit janë liruar. Ndërsa, sipas njoftimit rasti mbetet të hetohet./Llapi.info