Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, veturën e tij zyrtare nuk e përdor vetëm për qëllime pune. Ai këtë veturë po e përdor edhe për marketing të bizneseve private.
Një gjë e tillë mund të shihet në fotot e dërguara nga një lexues i portalit Llapi.info, ku në pjesën e prapme të veturës është e vendosur logoja e një kompanie private.
Por, një veprim i tillë bie ndesh me udhëzimin administrativ të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) për përdorimin e veturave zyrtare, udhëzim ky i cili sipas zyrtarëve komunal përdoret nga Komuna e Podujevës për shkak të mungesës së një rregulloreje të komunës për përdorimit të veturave zyrtare.
Neni 3 pika 3 e këtij udhëzimi thotë që përveç simboleve apo shenjave të miratuara nga Kuvendi i Komunës, automjetet zyrtare komunale nuk mund të kenë asnjë shenjë tjetër./Llapi.info